Aksesi i viktimave të dhunës në familje përpara institucioneve përgjegjëse

I.                   Dhuna ne familje

Në Shqiperi të dhënat mbi përhapjen e fenomenit të dhunës në familje vazhdojnë të jenë të kufizuara. Sipas statistikave zyrtare në Shqipëri 56% e grave kanë përjetuar të paktën një herë dhunë në familje, ndërsa 13 % të krimit e zë krimi në familje[1].  Në vitin 2006, Parlamenti Shqiptar miratoi ligjin nr. 9669 “Për masa ndaj dhunës në marrdhëniet familjare” ligj I cili merr në mbrojtje viktimat e dhunës në familje nëpërmjet procedurave të shpejta dhe pa kosto (falas). Për 6 mujorin e parë të vitit 2011, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë janë depozituar 182 kërkesë padi për lëshimin e urdhërave të mbrojtjes/ urdhërave të menjëhershëm të mbrojtjes.

Nga pikpamja gjinore, pjestari më i dhunuar i familjes rezulton të jetë gruaja[2]. Nga 182 kërkesë padi të depozituara në Gjykatë ne vitin 2011,  në 163 raste paditëse janë gratë dhe vetëm në 19 raste paditës janë burrat. Pra në 90 % të rasteve paditëse (viktimë e dhunës në familje) është një grua dhe vetëm në 10 % të rasteve burri është palë paditëse. Në total  në 54 raste gruaja e dhunuar ka përfituar mbrojtje nëpërmjet një vendimi gjyqësor ndërsa burrat kanë përfituar urdhëra mbrojtje vetëm në 6 raste, nga këto vetëm në dy raste dhunuese janë bashkëshortet ndërsa në 4 rastet e tjera dhunues janë pjestarë të tjerë të familjes si fëmijët, apo vëllezërit.

Por cfarë konsiderohet dhunë në familje?

Ligji nr.  9669 “Për masa ndaj dhunës në marrdhëniet familjare” e përkufizon dhunën si: “çdo veprim ose mosveprim i një personi ndaj një personi tjetër që sjell si pasojë cënimin e integritetit fizik, moral, psikologjik, seksual, social dhe ekonomik, i ushtruar midis personave që janë apo kanë qenë në marrëdhënie familjare”.

Dhuna shfaqet në disa forma duke filluar nga dhuna psikologjike (e cila konsiston në bërtitje, fyerje, frikësim, kërcënime) e cila është edhe forma më e shpeshtë e abuzimit, dhuna fizike (e cila shfaqet në formën e rrahjes, goditjes, pickimit, kafshimit, shtyrjes, mbytjes, djegjes, shkelmimeve etj.), dhuna seksuale (e cila ka të bëjë me detyrimin për të kryer marrëdhënie seksuale të padëshiruara nga ana e partnerit) dhuna ekonomike ( e cila përfshin moslejimin për të përdorur rrogën, mosdhënien e parave për të blerë ushqim, ilace, pengimin e partnerit që të punojë, detyrimin me dhunë për tu larguar nga banesa etj).

Ku mund të drejtohem nëse jam viktimë e dhunës në familje?

Ju mund të drejtoheni në Komisariatin e Policisë më të afërt i cili do tju plotësojë një kërkesë padi për ta cuar cështjen në gjykatë ose me ankimin tuaj të fillojë procedurat për ndjekjen penale të dhunuesit, pranë Qendrave Shëndetësore të cilat do tju asistojnë me shërbim psikologjik dhe mjekësor si dhe do tju pajisin me raport mjeksor, Njësitë e Qeverisjes Vendore, të cilat do tju ofrojnë shërbime të ndryshme, Gjykatë  e cila është organi që lëshon urdhërin e mbrojtjes nëpërmjet një vendimi gjyqësor, Organizatat Joqeveritare të cilat ofrojnë shërbime të ndryshme ligjore, psikologjike, mjekësore.

Cilët persona merr në mbrojtje ligji?

Ligji merr në mbrojtje të gjithë ata persona të cilët janë dhunuar nga një pjestar apo ish pjestar i familjes. Këtu mund të përmendim bashkëshortët apo ish bashkëshortët, bashkëjetuesit, vëllezërit, motrat, prindërit ndaj fëmijëve dhe fëmijët (edhe fëmijët e bashkëshortëve/bashkëjetuesve dhe fëmijët e birësuar) ndaj prindërve, vjehrri/ vjehrra në raport me nusen/ dhëndrin, kunetërit (nëse kanë jetuar bashkë 3 muajt e fundit). Ju mund të kërkoni mbrojtje për veten dhe për fëmijët tuaj, nëse edhe ata ndihen të kërcënuar nga veprimet e prindit dhunues.

Si më mbron mua ligji?

Është gjykata ajo që vendos masat mbrojtëse (ndërmjet masave të tjera, gjykata urdhëron dhunuesin që të mos cënojë, ngacmojë, kontaktojë me viktimën, largon dhunuesin nga banesa, vendos viktimën në strehëz, sekuestron armën e dhunuesit, kthen viktimën në banesë nëse është larguar me dhunë etj) për viktimat e dhunës në familje përmes një procedure të shpejtë.  Për të siguruar masa mbrojtëse ndaj viktimës së dhunës në familje gjykata lëshon dy lloje urdhërash, urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje (kur dhunuesi paraqet rrezik të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë, shëndetin, ose mirëqenien e viktimës, prandaj ai lëshohet brenda 48 orëve për të rriturit dhe brenda 24 orëve për të miturit) dhe urdhra mbrojtjeje (rreziku nuk është i menjëhershëm prandaj seanca gjyqësore zhvillohet brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës). Një urdhër mbrojtjeje ka një afat maksimal prej 1 (një) viti, me të drejtë shtyrjeje.Urdhëri i menjëhershëm i mbrojtjes është i përkohshëm pasi ai lëshohet për një afat të caktuar dhe duhet të konfirmohet në një seancë tjetër gjyqësore, e cila e shndërron atë në urdhër mbrojtjeje.

A do të shkojë bashkëshorti im në burg nëse më dhunon?

Me amendimet e fundit ligjore të Kodit Penal  me ligjin Nr. 23/2012, Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 7895, datë 27.01.1995”Kodi Penal I Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhuna në familje klasifikohet si vepër penale duke parashikuar dënime të ashpra për autorët e kësaj vepre. Kështu rrahja, kanosja  si dhe plagosja e lehtë me dashje e kryer  nga pjestarë të familjes  (bashkëshort, ish-bashkëshort,bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale) janë vepra që do të dënohen vetëm me burgim, pasi për to nuk parashikohet dënimi me gjobë.

 

Raporti ndërmjet ligjit “Për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare” dhe Kodit Penal, në lidhje me cështje të dhunës në familje

Ligji “Për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare” është një ligj administrativo-civil i cili ka për qëllim të parandalojw dhunën në familje dhe jo të dënojë autorët e saj. Ndërsa Kodi Penal është një ligj organik i cili ka si objektiv dënimin e autorëve të veprave penale dhe në rastin konkret të dhunës në familje.

Këto dy ligje nuk bien në kundërshtim me njëri tjetrin përkundrazi e plotësojnë kornizën e trajtimit të një rasti dhune.

Lidhur me faktin nëse vepra penale e parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal “Dhuna në Familje” do të ndiqet kryesisht apo me ankimin e  të dëmtuarit (neni 284 I Kodit të Procedurës Penale) mund të thuhet se kjo vepër nuk mund të ndiqet kryesisht nga organi procedures por vetëm me ankimin e të dëmtuarit. Pra i përket viktimës së dhunës në familje zgjedhja nëse dëshiron të kryejë ankim dhe si pasojë dhunuesi të ndiqet penalisht apo thjesht të kërkojë lëshimin e një urdhëri mbrojtje dhe cështja të trajtohet vetëm në aspektin civil. Por ekziston edhe mundësia që viktima e dhunës në familje të kërkojë në mënyrë të njëkohshme edhe lëshimin e urdhërit të mbrojtjes edhe ndjekjen penale të dhunuesit, në dy procese gjyqësore që do të zhvillohen në mënyrë të mëvetësishme por që në thelb të dyja  synojnë mbështetjen e viktimës së dhunës në familje.

Meqënëse ndjekja penale e dhunuesit fillon vetëm me ankimin e viktimës së dhunës në familje dhe jo kryesisht nga organi procedures, tërheqja e ankimit mund të kryhet në cdo fazë të procedimit. Ankimi mund të kryhet në prokurori ose në policinë gjyqësore me anën e një deklarate, personalisht ose nëpërmjet një përfaqësuesi të posacëm. Në këtë kontekst në përfundim të procesit gjyqësor penal autori(dhunuesi) mund të shpallet fajtor dhe si pasojë të dënohet për veprën penale të rrahjes me burgim deri në 2 vjet, kanosjes me burgim deri ne 3 vjet dhe për plogosje të lehtë me dashje me burgim deri në 5 vjet.Ndërsa nëse dhunuesi është përsëritës për këto vepra, dënohet me burgim nga një vit gjer në pesë vjet.”.

 

Gjithashtu ekziston mundësia që dhunuesi të ndiqet penalisht edhe ne rastin kur shkel vendimin e gjykatës për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes. Kështu pasi të pajiseni nga gjykata me urdhrin e mbrojtjes, dhe gjatë kësaj periudhe  dhunuesi e shkel urdhrin e mbrojtjes atëherë denonconi menjëherë ngjarjen në polici duke pasur me vete edhe nje kopje të urdhërit të lëshuar nga gjykata. Dhunuesi mund dënohet  në përputhje me Nenin 320 të Kodit Penal për “Pengim në ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe mund të gjobitet apo dënohet me burgim deri në dy vjet.

Risi e Kodit Penal në kuadër të dhunës në familje është edhe neni  121/a “Përndjekja” nen ky që trajton për herë të parë cështjen e kërcënimit ose ngacmimit të personit me anën e veprimeve të përsëritura, me qëllimin për t’I shkaktuar një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake, apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës, Në mënyrë të vecantë në këtë nen parashikohet si rrethanë cilësuese, duke e vendosur në një paragraf më vete dhe duke rënduar masën e dënimit me një të tretën e dënimit të dhënë, rasti kur kjo vepër kryhet nga ish-bashkëshorti, ish-bashkëjetuesi apo personi që ka pasur lidhje shpirtërore me të dëmtuarin.

 

 

 

Cilat janë hapat që duhet të ndjek nëse kërkoj mbrojtje nga dhuna në familje?

Denoncimi i dhunës në komisariatin e policisë më të afërt, qendrën shëndetësore, njësinë e qeverisjes vendore (bashki, komunë);

Plotësimi i kërkesë padisë nga komisariati, njësia e qeverisjes vendore, organizatë joqeveritare, ose avokati;

Depozitimi i kërkesë padisë në gjykatë (gjykata e vendit ku ju ndodheni momentalisht, pavarësisht nga vendbanimi juaj) apo ankimit pranë prokurorisë apo policisë gjyqësore;

Seanca gjyqësore do të zhvillohet brenda 48 orëve (në rastin e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes) dhe brenda 15 ditëve (në rastin e urdhërit të mbrojtjes) nga depozitimi i kërkesë padisë. Ju do të njoftoheni (edhe me telefon) për orën e seancës gjyqësore. Kini parasysh që duhet të shkoni në kohë pasi një vonesë e vogël mund të sjellë pushimin e çështjes.

Në seancën gjyqësore ju do të jepni shpjegimet tuaja dhe paraqisni provat që mund të dispononi (certifikata familjare, raporte të policisë, raporte mjekësore, raporte të vlerësimit psiko-social, dëshmitarë etj.) Eshtë shumë e rëndësishme që ju të bindni gjykatën se jeni viktimë e dhunës dhe për këtë duhet të paraqisni provat e sipërpërmendura, por edhe të jepni detaje të incidenteve të ndodhura. Nëse është e mundur bëni fotografi të plagëve të shkaktuara nga dhuna dhe merrni me vete në seancën gjyqësore cdo provë që ju posedoni.Në të njëjtën seancë do të lëshohet edhe urdhëri i mbrojtjes apo urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, me vendim të gjykatës.

Nëse do të merrni një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, ju duhet të paraqiteni përsëri në gjykatë pas rreth 20 ditësh (data është e caktuar në vendimin e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes) për të zhvilluar një seancë tjetër gjyqësore e cila do të vërtetojë urdhërin e menjëhershëm të mbrojtjes, duke e konfirmuar atë për nje periudhë më të gjatë kohore, deri ne një vit. Në këtë seancë do të duhet të paraqisni provat që dispononi, në mënyrë që të bindni gjykatën për dhunën që keni pësuar.

A mund të kërkojë divorcin në seancën gjyqësore të lëshimit të urdhërit të mbrojtjes?

Jo, pasi zgjidhja e martesës (divorci) dhe lëshimi i urdhërit të mbrojtjes janë dy procese gjyqësore të pavarura nga njëra tjetra, prandaj ju nuk mund të kërkoni divorcin në procesin e lëshimit të urdhërit të mbrojtjes. Megjithatë shumica e viktimave të dhunës në familje kërkojnë divorcin, prandaj ju mund të kërkoni njëkohësisht edhe zgjidhjen emartesës nëpërmjet një tjetër kërkesë padie, e cila do të nis paralelisht me urdhërin e mbrojtjes, edhe procesin e divorcit.

 

 

 

Nëse jeni e prekur nga dhuna, dhe ju nevojitet ndihme, kontaktoni në:

Tel: ++ 355 4 2 400 712

Tel: ++355 4 720 0367

Celular: 067 407 311 0

Email: Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.



[1] INSTAT, 2009 “ Dhuna në familje në Shqipëri – Vrojtim kombëtar”

[2] Qendra “Të Drejtat e Njeriut në Demokraci”, Raport Monitorimi Janar - Qershor 2011